Nëpërmjet këtij shërbimi elektronik mund të kryhet online aplikimi për pension invaliditeti në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Personi që bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin), ka të drejtë të marrë pension invaliditeti. 1. Baza ligjore: – Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; – Udhëzimi nr. 2, i ISSH-së, datë 05.10.2005 “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar dhe pagës neto për efekt pensioni“; – Rregullore nr. 1, e ISSH-së, datë 19.10.2009 “Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”; – Rregullore e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), datë 30.05.2003 “Për organizimin, të drejtat, detyrat dhe funksionimin e Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë të invalidëve“. 2. Kriteret mjekësore për caktimin e aftësisë në punë të invalidëve: Në vartësi të shkallës së humbjes të aftësisë për punë, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, invaliditeti klasifikohet në tri grupe: – Invaliditet i pjesshëm, kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it; – Invaliditet i plotë, kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë; – Invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari. 3. Kushtet e përfitimit: – Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. – Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti; – Personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të.
